Pas katër dekadash e gjysmë përkushtimi të pashoq në shërbim të pacientëve, infermierja e njohur gjilanase, Adile Zylfiu Jakupi, ka përmbyllur karrierën e saj profesionale, duke hyrë në fazën e merituar të pensionimit.
E lindur më 25 tetor 1961 në fshatin Kopërnicë, ajo kreu shkollimin fillor në shkollën “Thimi Mitko” (e njohur dikur si “Vuk Karaxhiç”), ndërsa ai i mesëm u kurorëzua në Shkollën e Mjekësisë, në drejtimin mami-infermiere.
Rrugëtimin e saj akademik e finalizoi në Fakultetin e Infermierisë në Gjilan, ku fitoi titullin Bachelor i Infermierisë (BA).
Një karrierë e pasur humanizmi dhe sakrifice
Gjatë një udhëtimi profesional prej 45 vitesh, Adile Zylfiu Jakupi i fali jetën dhe energjinë e saj kujdesit shëndetësor.
Tri vitet e para të punës i kaloi në fshatin Pogragjë, për t’u zhvendosur më pas për tri dekada të plota në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Nagip Rexhepi” në Gjilan, periudhë gjatë së cilës kontribuoi paralel edhe në Spitalin Turk në Prishtinë.
Kontributin e saj prej profesionisteje e vazhdoi edhe për 12 vite të tjera në po të njëjtin institucion, në Qendrën e Mjekësisë Familjare në lagjen Dardani.
Krahas sfidave të mëdha të profesionit, ajo ndërtoi një familje të shtrenjtë, duke qenë bashkëshortja dhe nënë e përkushtuar e katër fëmijëve.
Fjalët e zemrës nga familjari: Përgëzimet dhe urimet për pensionim
Në prag të këtij kapitulli të ri, familjari i saj, Rashit Zylfiu, i ka kushtuar një shkrim mbresëlënës plot respekt e mirënjohje, duke evokuar portretin e saj si motër e madhe, mbështetje e familjes dhe profesioniste e dëshmuar në çdo rrethanë.










