Vrasjet që po ndodhin kohëve të fundit në Kosovë, sidomos vrasjet e grave dhe rasti i fundit në Peje, janë vërtet shqetësuese dhe po na bëjnë të gjithëve me u ndalë e me mendu se çka po ndodh me shoqërinë tonë.
Përveç dhimbjes së madhe që po u shkaktohet familjeve që po i humbin më të dashurit e tyre, këto raste po e lëkundin edhe besimin e qytetarëve në sigurinë dhe institucionet e vendit.
Mendoj se ka ardhë koha me e pyet veten, ku po gabojmë si shoqëri?
A është problemi vetëm te shteti, policia, prokuroria e gjykatat, apo duhet me e kërku problemin edhe te vetja jonë, te edukata familjare, shkolla dhe mënyra se si po i rrisim fëmijët tanë?
Nuk mund ta mohojmë se te ne ende ekziston një mentalitet ku inati, krenaria dhe ajo që dikush e quan burrëri, shpesh vendosen para arsyes dhe respektit për jetën e njeriut.
Tradita jonë ka shumë vlera të mira që duhet me i ruajtë, por asnjë zakon, asnjë traditë dhe asnjë lloj krenarie nuk mundet me e arsyetu dhunën, e aq më pak marrjen e jetës së dikujt.
Shteti e ka për detyrë me e mbrojtë jetën e qytetarit dhe me vepru me kohë kur ekziston rreziku. Por nuk mundemi me pritë që vetëm policia, prokuroria e gjykatat me na e zgjidhë një problem që shpesh fillon shumë më herët, në familje dhe në mënyrën se si edukohemi.
Duhet me ua mësu fëmijëve tanë që me u tërheqë prej një konflikti nuk është dobësi, që respekti nuk fitohet me frikë dhe që dhuna nuk është e nuk mundet me qenë zgjidhje për asnjë problem.
Asnjë inat, asnjë krenari dhe asnjë mosmarrëveshje nuk vlen sa jeta e një njeriu.
Nëse duam një Kosovë më të sigurt dhe një shoqëri më të shëndoshë, duhet me fillu prej vetes, prej familjes dhe prej edukimit të brezave të rinj.
Sepse jeta e njeriut nuk kthehet më.










