Një grua është sulmuar nga qentë endacakë në Gjilan, në zonën e njohur si Sahat Kulla, ku, sipas rrëfimit të saj, është sulmuar nga shtatë qen endacakë dhe është kafshuar. Fatmirësisht, ajo ka arritur të shpëtojë falë ndihmës së personave që kanë ndërhyrë.
Rasti ka rikthyer shqetësimin për praninë e qenve endacakë në hapësirat publike të Gjilanit dhe rrezikun që ata mund t’u paraqesin qytetarëve.
Pas sulmit, gruaja u ka bërë thirrje institucioneve komunale që të ndërmarrin masa urgjente dhe konkrete për zgjidhjen e këtij problemi, duke kërkuar që siguria e qytetarëve të mos mbetet vetëm çështje premtimesh.
Pavarësisht se për trajtimin e problemit të qenve endacakë janë përmendur vazhdimisht masa dhe projekte, përfshirë krijimin e strehimoreve, qytetarët vazhdojnë të kërkojnë veprime konkrete nga institucionet përgjegjëse.
Ngjarja në tek Sahat Kulla është një tjetër thirrje për reagim institucional dhe për zgjidhje të qëndrueshme, në mënyrë që qytetarët të mund të lëvizin të sigurt në qytet.
Komuna e Gjilanit duhet t’i trajtojë me seriozitet shqetësimet e qytetarëve dhe të ndërmarrë hapa konkretë për parandalimin e rasteve të tilla./Radio Star/











