Premton Muja, futbollist i njohur gjilanas, këtë të shtunë zyrtarisht i ka thënë lamtumirë futbollit. Ai është ndarë nga fusha e gjelbër pas një karriere të pasur shtatëmbëdhjetëvjeçare dhe për t’u përshëndetur nga loja aktive ka zgjedhur klubin ku kishte kaluar më së shumti karrierën e tij, te KF Gjilani.
Muja, i njohur me nofkën “Arusha” fillimisht është përshëndetur me futbollistët e Ballkanit, pastaj me ata të Gjilanit e në fund është përshëndetur edhe me Skifterët, adhuruesit më të flaktë të KF Gjilani.
Në shenjë mirënjohje për kontributin e dhënë, Sallah Sherifi, drejtor në KF Gjilani i ka dhuruar një mirënjohje dhe dhurata modeste, kurse pos si futbollist i spikatur, Premton Muja do të mbahet në mend edhe si një futbollist me sjellje shembullore, ngase në karrierën e tij nuk mbahet mend ndonjëherë të ketë bërë ndonjë gjest josportiv apo të jetë ndëshkuar.
Në karrierën e tij, Premton Muja, në Superligë ka realizuar 103 gola në ndeshje kampionale dhe 52 gola në ndeshje miqësore.
Premton Muja, ndonëse u nda nga loja aktive në futboll, ai do të ndjek rrugën e babait Selim Muja, pedagog dhe trajner i njohur i futbollit. Ai pritet që tashti, duke qenë i diplomuar në Kulturë Fizike, kontributin e tij t’a jap në edukimin e gjeneratave të reja, sikurse që pritet që në të ardhmen edhe ai t’a ushtrojë zejen e trajnerit.