Asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Vitisë, Liridona Bislimi, ka ngritur shqetësime për gjendjen e trotuareve në këtë komunë, duke publikuar një fotografi që, sipas saj, dëshmon mungesën e cilësisë në realizimin dhe mirëmbajtjen e punimeve publike.
Përmes një reagimi publik, Bislimi ka kritikuar mënyrën e realizimit të projekteve infrastrukturore, duke ngritur dyshime për menaxhimin e tenderëve dhe shpenzimin e parasë publike.
Ajo ka thënë se gjendja e trotuareve nuk është problem i izoluar, por se, sipas saj, një pjesë e madhe e tyre në komunën e Vitisë janë të mbuluara me zall, shkurre, drunj dhe bar, duke vështirësuar qarkullimin e këmbësorëve.
Bislimi ka kërkuar më shumë cilësi në realizimin e projekteve publike dhe përgjegjësi për mirëmbajtjen e tyre.
Reagimi i plotë i Liridona Bislimit:
“Kështu përfundojnë trotuaret në Viti!
Kur tenderat kalojnë nëpër disa duar, kur paret publike ndahen pa u kry puna, në fund qytetarëve ju mbetet kjo pamje: punë pa kurrfarë cilësie, trotuare të shkatërrume dhe mungesë totale e përgjegjësisë!
E mos të mendojmë që ky osht rast i vetëm. Gati krejt trotuaret në komunën tonë janë në gjendje të mjerueshme. Të mbuluem me zall, manaferra e drunj, e bari të gjelbrum saqë këmbësorët shpesh detyrohen me ecë nëpër rrugë, tu e rreziku edhe sigurinë e tyne.
Për tendera normal që po ka pare, po për mirëmbajtje e përgjegjësi kush po jep llogari?!
Na nevoitet me pa ma shumë punë cilsore, jo veç shkel e shko!”










