Burime brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme bëjnë të ditur për Radio Star Gjilan, në kushte anonimiteti, se Luan Keka pritet të emërohet në pozitën e Drejtorit Rajonal të Policisë në Gjilan.
Sipas këtyre burimeve, Keka pritet të zërë vendin e drejtorit aktual, Rukiqi, duke marrë kështu përgjegjësinë për udhëheqjen e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan.
Luan Keka është një nga zyrtarët me përvojë të gjatë në strukturat e specializuara të sigurisë në Kosovë. Ai ka ushtruar për shumë vite detyrën e drejtorit të Kundërterrorizmit, ndërsa gjatë karrierës së tij ka qenë i angazhuar në çështje të rëndësishme që lidhen me sigurinë dhe luftimin e terrorizmit e ekstremizmit.
Keka ka diplomuar në Akademinë Kombëtare të FBI-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe ka qenë pjesë e bashkëpunimeve ndërkombëtare në fushën e sigurisë.
Deri më tani, emërimi i tij nuk është konfirmuar zyrtarisht nga institucionet përkatëse. Radio Star Gjilan do të përcjellë zhvillimet lidhur me këtë çështje./Radio Star/










