Policia e Kosovës ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net një varg ndryshimesh në strukturat e saj drejtuese, pas dorëheqjes së ish-drejtorit të Përgjithshëm, Gazmend Hoxha.
Në kuadër të këtyre lëvizjeve, 14 zyrtarë policorë janë caktuar në pozita të reja në departamente, divizione dhe drejtori të ndryshme.
Në përgjigjen për Reporteri.net, Policia ka thënë se sistemimi dhe caktimi i zyrtarëve bëhet në përputhje me udhëzimet administrative, procedurat ligjore dhe nevojat organizative e operacionale të institucionit.
“Policia e Kosovës (PK), bazuar në udhëzimet administrative dhe procedurat e parapara ligjore, si dhe bazuar në nevojat e plotësimit të strukturës organizative dhe planifikimeve të personelit policor, bën sistemimin/caktimin e zyrtarëve policorë në detyra/pozita të caktuara. Policia e Kosovës është organizatë dinamike dhe në vazhdimësi ka bërë caktime dhe emërime të personelit të saj në pozita të ndryshme, varësisht nga nevojat operacionale të paraqitura për funksionim dhe riorganizim të personelit policor”, thuhet në përgjigjen e PK-së.
Ndër ndryshimet kryesore është caktimi i kolonel Taibe Canolli-Brajshorit në pozitën e ushtrueses së detyrës së Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.
Po ashtu, kolonel Afërdita Mikullofci është caktuar në krye të Divizionit të Trafikut Rrugor, ndërsa kolonel Agron Rukiqi në krye të Departamentit të Burimeve Njerëzore.
Kolonel Agron Nezaj është caktuar në Zyrën për Hartimin dhe Koordinimin e Projekteve të Policisë së Kosovës, në kuadër të DPP-së.
Ndryshimet kanë përfshirë edhe disa prej departamenteve kryesore të institucionit. Nënkolonel Fehmi Xhata është caktuar drejtor i Departamentit të Hetimeve, nënkolonel Arben Paçarizi drejtor i Departamentit të Inteligjencës dhe Analizës, ndërsa nënkolonel Veton Elshani do të drejtojë Departamentin e Kufirit.
Në Departamentin e Shërbimeve Mbështetëse është caktuar nënkolonel Kamer Jonuzi, kurse nënkolonel Fatmir Bajrami është emëruar drejtor i Divizionit të Analizës në DIA.
Ndërkaq, nënkolonel Gëzim Dibrani është caktuar drejtor i Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, ndërsa nënkolonel Jeton Rexhepi drejtor rajonal i Kufirit-Lindje.
Në kuadër të këtyre lëvizjeve, nënkolonel Fatos Makolli është caktuar këshilltar në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prishtinë, ndërsa nënkolonel Luan Keka do të udhëheqë Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjilan.
Pozitën e drejtorit të Drejtorisë Kundër Terrorizmit do ta ushtrojë major Blerim Rama.
Këto ndryshime vijnë pas dorëheqjes së Gazmend Hoxhës nga pozita e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, më 30 tetor. Pas dorëheqjes së tij, në pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Përgjithshëm është caktuar Fehmi Hoti.
Ndërsa Policia i ka arsyetuar lëvizjet me nevojat organizative dhe operacionale të institucionit, ato përfshijnë disa prej pozitave kyçe të strukturës së saj drejtuese./Reporteri.net










