Rreth 8 mijë e 600 pjesëtarë të Policisë së Kosovës pritet t’i marrin pagat me rritje.
Me miratimin e Ligjit për Paga në Kuvend, ata do të marrin 525 euro për çdo muaj, apo rreth 200 euro më shumë se paga aktuale. Por, se kur do të ndodhë kjo ende nuk dihet.
Rritja e pagave të policëve, i kushton buxhetit të shtetit mbi 12 milionë euro për çdo vit, shkruan Express.
Policëve kosovarë më në fund do tu rriten pagat. Madje, me Ligjin për Pagat duket se ata do të jenë më të privilegjuarit. Me këtë ligj, rritje të pagës pritet të përfitojnë rreth 8 mijë e 600 policë. Aq është edhe numri i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Prej 319 euro sa aktualisht është paga e një polici, me miratimin e ligjit në Kuvend, ata do të marrin 525 euro e më shumë, varësisht nga përgjegjësia që ka polici.
E ngritja e pagave të policëve pritet t’i kushtojë buxhetit të shtetit më të varfër në rajon më shumë se 12 milionë euro për secilin vit.
Tahiri ka deklaruar se me Ligjin e Pagave, përfituesit kryesor janë policët. Gjersa, deklaron se me këtë ligj do të përfitojnë të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, pa përjashtime.
“Me Ligjin e Pagave, përfituesit kryesor janë sektori i Policisë në numër, dhe po ashtu drejtpërdrejtë në pagë. Në historinë e ngritjes së pagave, për herë të parë policit në Kosovë i ngritët paga bazë prej 319 euro sa i kanë pas në 52o euro e tutje më lart, varësisht nga përgjegjësia që ka, vazhdojnë me shtesat për rrezikshmëri dhe përvojën e punës”, ka thënë Tahiri.
Derisa shprehet i bindur se ky ligj ka adresuar të gjitha kërkesat që kanë pasur policët.
“Me këtë ligj përfitojnë të gjithë pjesëtarët e Policisë, megjithatë ajo që duhet të thuhet, është se kësaj radhe lidershipi i Policisë, pra nivelet që kanë grada më të larta në fokus e kanë pas policin, duke filluar prej policit, policit të lartë e tutje”, tha ai.
Por, se kur saktësisht policët do t’i marrin pagat me rritje, këtë nuk e di as vet Tahiri. Por, thotë se janë duke bërë përpjekje që ta shtyjnë këtë çështje sa më përpara.