Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka mirëpritur në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” futbollistin e ri Enis Rexhepi, i cili pritet t’i bashkohet përfaqësueses së Kosovës.
Ademi po zhvillon takime me futbollistë të rinj me prejardhje shqiptare, të cilët luajnë jashtë vendit, me synimin për t’i afruar ata pranë Kombëtares së Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ademi ka ndarë emocionet e takimit me Rexhepin, duke rikujtuar se vetëm pak javë më parë ishin takuar në Gjermani.
“Pas takimit tonë në Gjermani, vetëm pak javë më vonë ritakohemi sërish, por kësaj radhe në Kosovë. Takimi në shtëpi ka gjithmonë një emocion të veçantë! Mirë se erdhe në shtëpinë tënde, Enis! Të priftë e mbara dhe paç shumë suksese me fanellën e Dardanëve!”, ka shkruar Ademi.
Afrimi i futbollistëve të rinj me potencial mbetet një nga drejtimet e rëndësishme për zgjerimin e konkurrencës dhe forcimin e Kombëtares së Kosovës.










