16. 705 kandidatë nga i tërë vendi i janë nënshtruar testit me shkrim për pranim në radhët e Policisë së Kosovës.
Testi me shkrim ka qenë i përbërë nga 100 pyetje, ndërsa kandidatët, të cilët e kalojnë me sukses testin me shkrim, do ta fitojnë të drejtën për t’iu nënshtruar testit fizik.
Por shumë kandidatë të tjerë që dyshojnë se do të ketë vlerësim korrekt, hezitojnë të prononcohen para kamerës, duke thënë se i frikësohen penalizmit.
Bajram Krasniqi, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës, ka thënë se procesi i testimit me shkrim, ka shkuar sipas planifikimeve.
“Në procesin e testimit me shkrim për aplikantë për polic, i cili ka filluar dje dhe po vazhdon edhe sot, çdo gjë ka shkuar sipas planifikimeve, nuk është shënuar asnjë parregullsi apo ankesë. Procesi është zhvilluar në njëmbëdhjetë lokacione, kryesisht institucione arsimore. Në Gjakovë, dje ka përfunduar i tërë procesi i testimit për këtë rajon. Po ashtu, sot paradite as në Prizren nuk do të ketë testim, pasi dje dhe sot paradite i janë nënshtruar testimit të gjithë kandidatët e këtij rajoni”, ka thënë Bajram Krasniqi, Zyrtar për Informim në Policinë e Kosovës.
Policia nuk ka dhënë numër të saktë se sa policë të rinj do të pranohen, duke thënë se do të jenë mbi 300.