Policia Rajonale e Ferizajt njofton qytetarët se në disa pjesë të rajonit të Ferizajt ka filluar paraqitja e mjegullës, veçanërisht në zonat me pozitë më të ulët gjeografike, duke shkaktuar kufizim të dukshmërisë dhe vështirësi në qarkullimin rrugor.
Me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe rritjes së sigurisë në trafik, policia apelon tek të gjithë shoferët e automjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të përshtatin mënyrën e ngasjes me kushtet atmosferike dhe gjendjen e rrugës.
Në këtë drejtim, rekomandohet:
Të përshtatet shpejtësia e lëvizjes me kushtet e dukshmërisë dhe të rrugës;
Të mbahen ndezur dritat e shkurtra gjatë ngasjes dhe të përdoren dritat e mjegullës, nëse automjeti është i pajisur me to;
Të shmanget përdorimi i dritave të gjata, pasi reflektimi i tyre në mjegull mund ta zvogëlojë edhe më shumë dukshmërinë;
Të mbahet distancë e mjaftueshme dhe e sigurt ndërmjet automjeteve;
Të tregohet kujdes i veçantë në zonat pranë lumenjve dhe në pjesët ku mjegulla mund të jetë më e dendur;
Të mbahet pozicioni i duhur në shiritin e qarkullimit dhe të shmangen parakalimet e panevojshme;
Të rritet vigjilenca dhe përqendrimi gjatë gjithë kohës së drejtimit të automjetit.
Policia Rajonale e Ferizajt apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të tregojnë përgjegjësi, të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të mos rrezikojnë jetën e tyre dhe të të tjerëve.
Kujdesi dhe përshtatja e shpejtësisë me kushtet atmosferike janë faktorë thelbësorë për parandalimin e aksidenteve dhe garantimin e sigurisë në rrugë.










