Një zyrtar i Policisë së Kosovës në Gjilan do të bëhet me shtëpi të re, falë një donacioni të siguruar nga Sindikata e Policisë së Kosovës.
Sindikata ka njoftuar se ka pranuar nga donatori Arkatana një shtëpi me sipërfaqe mbi 100 metra katrorë dhe me 3 arë truall, e cila ndodhet në një lagje të re në Gjilan.
Shtëpia do t’i dhurohet një zyrtari policor dhe familjes së tij, me qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës.
Në një ceremoni simbolike është bërë edhe dorëzimi i çelësave, duke shënuar përfundimin e këtij projekti human dhe solidar.
Nga Sindikata e Policisë së Kosovës kanë theksuar se ky projekt është rezultat i bashkëpunimit dhe angazhimit për mirëqenien e zyrtarëve policorë.
Sindikata ka falënderuar donatorin Arkatana për kontributin dhe mbështetjen, duke theksuar se do të vazhdojë angazhimin për mbrojtjen e të drejtave dhe përmirësimin e mirëqenies së policëve dhe familjeve të tyre.










