Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Dega në Gjilan, ka vazhduar diskutimet e brendshme me strukturat partiake, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e brendshme dhe konsolidimin e organizimit të saj politik.
Kryetari i Degës së LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, ka bërë të ditur se pas takimit me Kryesinë e Degës, diskutimet kanë vazhduar edhe me Grupin e Këshilltarëve Komunalë dhe kryetarët e nëndegëve. Gjatë javës së ardhshme, ky proces pritet të përfshijë edhe strukturat e tjera të partisë.
Në konferencën e sotme, Haziri ka theksuar rëndësinë e demokracisë së brendshme, përfshirjes së anëtarësisë, mobilizimit dhe fuqizimit të strukturave partiake në prag të zgjedhjeve të brendshme.
“LDK është parti e anëtarësisë së saj e jo e funksionarëve”, është mesazhi i Hazirit, i cili ka vënë theksin te nevoja për ripërtëritje organizative dhe krijimin e hapësirave për gjenerata të reja politike.
Një pjesë e diskutimeve i është kushtuar edhe rolit të LDK-së në opozitën komunale, adresimit të shqetësimeve të qytetarëve dhe ndërtimit të një alternative politike për qeverisjen e Gjilanit.
Sipas njoftimit të Degës, synimi është që përmes këtij procesi të krijohen mundësi për energji të reja, ide dhe përgjegjësi të përbashkët politike, me fokus në zhvillimin ekonomik, institucional dhe shoqëror të Gjilanit.
Haziri ka folur edhe për 30-vjetorin e ndarjes nga jeta të prof. dr. Xhavit Ahmetit, i cili shënohet më 21 nëntor. Ai ka theksuar se Gjilani, Anamorava dhe shqiptarët kanë për detyrim ta vlerësojnë dhe ta kujtojnë kontributin e tij për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë.
Procesi i diskutimeve të brendshme në LDK-në e Gjilanit po zhvillohet në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet partiake dhe përcaktimit të orientimeve të ardhshme organizative e politike.










