Autoritetet hungareze njoftuan të premten se kanë gjetur para të gatshme në vlerë rreth 19,5 milionë dollarë (rreth 17,5 milionë euro) të fshehura – një pjesë e të cilave ishin groposur nën tokë – në kuadër të një hetimi ndaj një ish-ministri që ka shërbyer nën qeverisjen e ish-kryeministrit Viktor Orban.
Zyra Kombëtare për Rikuperimin dhe Mbrojtjen e Pasurive bëri të ditur, përmes një deklarate të premten, se ka zbuluar “shuma të mëdha parash të gatshme, të groposura në pyje, të fshehura në ndërtesa bujqësore, magazina dhe një banesë, si dhe të ruajtura në një kasafortë të vlefshme në një vend të fshehtë”.
Mes parave të gjetura kishte mbi 5 miliardë forinta, rreth 2,6 milionë euro dhe 1,2 milionë dollarë – që në total kapin vlerën e rreth 19,5 milionë dollarëve, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Zbulimi i këtyre parave erdhi pas një kontrolli dyditor në kryeqytetin Budapest dhe në tri qarqe të tjera hungareze, njoftoi Zyra Kombëtare për Rikuperimin dhe Mbrojtjen e Pasurive, një institucion i krijuar së fundmi nga qeveria e re e Hungarisë.
Kjo zyrë zotëron kompetenca hetimore dhe prokuroriale për të ndjekur rastet e keqpërdorimit të fondeve publike dhe dyshimet për korrupsion – dukuri që, sipas kritikëve të Orbanit, ishin tejet të përhapura gjatë 16 viteve të tij në pushtet.
Sekuestrimi u krye në kuadër të procedimeve penale kundër ish-ministrit të Zhvillimit Kombëtar, Miklós Seszták, i cili ka shërbyer nën qeverisjen e Orbanit.










