Komuna e Gjilanit e ka ofruar të hënën në dëgjim publik rregulloren për ndarjen e titujve të nderit, çmimeve, mirënjohjeve dhe shpërblimeve, përpara se ky akt normues të dërgohet për miratim në Kuvend Komunal, nga fundi i vitit, ndërkohë që deri atëherë do të mbahet edhe një takim tjetër, më 2 tetor, për hir të informimit sa më të gjerë të qytetarëve.
Hevzi Matoshi, shef i Zyrës Ligjore, ka thënë se në bazë të kësaj rregulloreje, Kuvendi Komunal i Gjilanit jep titujt “Qytetar Nderi”, “Nderi i Qytetit”, çmimin letrar “Beqir Musliu”, çmimin “Agim Ramadani” dhe çmimin “Idriz Seferi” si dhe mirënjohje e shpërblime të tjera, për personalitete të shquara dhe subjekte juridike, si shenjë nderimi për sakrificë si dhe kontribut të veçantë në fushën e humanizmit, sakrificës, kulturës, artit, sportit dhe fusha të tjera.
Pas marrjes së vendimit nga Kuvendi Komunal, për ndarjen e titullit të caktuar, kryetari i Komunës organizon ceremoninë e dorëzimit të titullit, sipas protokollit të paraparë.
Sipas tij, ndryshimi nga rregullorja ekzistuese e vitit 2011, është se tani janë propozuar dy çmime të reja, çmimi “Agim Ramadani” dhe çmimi “Idriz Seferi” si dhe është normuar çmimi ekzistues letrar “Beqir Musliu”, i cili deri tani është ndarë nga klubi “Beqir Musliu”, ndërsa është financuar nga Komuna, ka thënë Matoshi.
Veton Nevzadi nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport ka kërkuar që Komuna të ndajë edhe një shpërblim për arritje shkencore, i cili do të quhej çmimi “Xhavit Ahmeti”.
Në këtë debat për projekt-rregulloren për ndarjen e titujve të nderit, çmimeve, mirënjohjeve dhe shpërblimeve, me diskutime, pyetje dhe përgjigje, janë përfshirë edhe Shpresa Hajdari, Arta Nuhiu, Bashkim Nexhipi, Ali Demi, Ibrahim Jerliu, Enkelejda Arifi, Arjeta Maka dhe të tjerë.