Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos e konsumojnë serinë e identifikuar të qumështit VITA UHT 3.2%, pasi analizat laboratorike kanë konfirmuar tejkalimin e nivelit maksimal të lejuar të aflatoksinës M1.
Në komunikatën e publikuar sot, IKSHPK ka rikujtuar se bëhet fjalë për qumështin VITA UHT 3.2% yndyrë, të prodhuar nga ABRAZEN SH.P.K. (Qumështorja VITA), në paketim prej një litri, me datë prodhimi 18.07.2026 dhe afat përdorimi deri më 18.01.2027.
“Sipas rezultateve të publikuara nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, analizat laboratorike të kryera në Austri kanë konstatuar përqendrim të aflatoksinës M1 prej 0.065 µg/kg, ndërsa niveli maksimal i lejuar është 0.050 µg/kg”, thuhet në komunikatën e IKSHPK-së.
Instituti ka paralajmëruar edhe për rrezikun që mund të paraqesë kjo substancë për shëndetin.
“Aflatoksina M1 është substancë toksike dhe ekspozimi i vazhdueshëm e afatgjatë ndaj saj mund të paraqesë rrezik për shëndetin, veçanërisht për shkak të efekteve të mundshme në mëlçi”, thuhet në njoftim.










