Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka mohuar kategorikisht raportimet dhe pretendimet se pjesëtarët e tij u kanë drejtuar armët familjarëve të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, gjatë largimit të tij nga vizita familjare.
Përmes një sqarimi zyrtar, EULEX-i i ka cilësuar këto raportime të disa mediave si “pretendime të pabazuara” lidhur me trajtimin e papërshtatshëm të armëve të zjarrit nga zyrtarët policorë të misionit, teksa po ofronin mbështetje logjistike dhe operacionale për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Reagimi vjen pas raportimeve për një incident gjatë largimit të Krasniqit nga shtëpia, ku familjarët po regjistronin me telefona mobilë momentin kur ai po shoqërohej nga pjesëtarët e misionit evropian.
“Ne i mohojmë fuqishëm këto pretendime dhe theksojmë se zyrtarët policorë të EULEX-it nuk kanë drejtuar asnjë armë ndaj askujt, në asnjë moment”, thuhet në reagimin e EULEX-it.
Misioni ka shtuar se armët e zjarrit trajtohen nga personeli i tij në përputhje të rreptë me standardet ndërkombëtare dhe evropiane, duke konfirmuar se procedurat standarde operative janë respektuar plotësisht gjatë mundësimit të kësaj vizite, e cila u lejua për arsye të rëndësishme humanitare. Po ashtu, EULEX-i ka bërë të ditur se ka kryer me shpejtësi një verifikim të brendshëm, i cili ka vërtetuar se akuzat janë plotësisht të pabazuara.
Jakup Krasniqi po qëndron përkohësisht në Kosovë në kuadër të një vizite humanitare nga paraburgimi në Hagë, ndërsa lëvizjet e tij zhvillohen nën masa të rrepta sigurie dhe shoqërimin e personelit të EULEX-it.










