Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila ka bërë thirrje që qytetarët të zgjedhin produktet vendore gjatë festave të fundvitit, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së bizneseve dhe prodhuesve në Kosovë.
Përmes një postimi në Facebook, ajo ka vlerësuar fushatën “Dhuro Made in Kosova”, e cila synon të krijojë mundësi të reja për promovimin dhe shitjen e produkteve vendore përmes platformave online.
Ministrja ka theksuar se, përmes bashkëpunimit me Gjirafa, Foleja dhe ShopAz, bizneset vendore mund t’i listojnë, promovojnë dhe shesin produktet e tyre pa kosto shtesë, duke zgjeruar tregun edhe te konsumatorët në diasporë.
Ajo ka falënderuar platformat që i janë bashkuar nismës dhe ka ftuar edhe platformat e tjera online që të bëhen pjesë e saj.
“Ftojmë edhe platformat e tjera online në Kosovë t’i bashkohen kësaj nisme, ndërsa të gjithë prodhuesit dhe bizneset vendore të na kontaktojnë në dhuro.mik@rks-gov.net për t’u bërë pjesë e saj. Dhuro cilësi. Dhuro zhvillim. Dhuro Made in Kosova”, ka shkruar Kusari-Lila./ Arbresh.info










