Prokuroria Themelore në Gjilan në bashkëpunim me Policinë e Kosovës në Gjilan, dje rreth orës 22:00 ka ndaluar një person me inicialet E.A i cili dyshohet se nga data 09 nëntor 2026 me qëllim të përfitimit pasuror ka sajuar një ngjarje të pa qenë ku aludonte se është i prekur nga sëmundja e ‘’Leukemisë Akute’’ gjë që pas verifikimit të historisë së tij i njëjti nuk vuante nga një sëmundje e tillë dhe kishte hapur dhe një ‘’Gofund’’ ku kishte zhvilluar aktivitetit në Kosovë dhe diasporë me qëllim të grumbullimit të mjeteve financiare kinse për shërim e rehabilitim, ku shuma e grumbulluar arrin shifrën e njëqind e tetëdhjetë e nëntë mijë e dyqind e gjashtë euro e tetë cent (189.206.8 euro) ashtu që i njëjti me këto veprime dyshohet se ka kryer veprën penale të Mashtrimit nga neni 323 i Kodit Penal të Kosovës.
Me të marrë informacionet e para Prokuroria Themelore në Gjilan së bashku me Policinë e Kosovës ka reaguar menjëherë, ku fillimisht ka bllokuar shumën e parave të grumbulluara në të gjitha llogaritë bankare të evidentuara lidhur me rastin, dhe të njëjtin e ka vendosur në kërkim policor, ashtu që me datë 21 nëntor 2026, rreth orës 22:00 arrestohet nga Policia e Kosovës dhe me vendim të Prokurorit të shtetit dërgohet në ndalim për 48 orë.
Prokuroria Themelore në Gjilan, ndaj të dyshuarit, brenda afateve kohore do të paraqitë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit pranë Gjykatës Themelore në Gjilan.










