Aktori i njohur kosovar, Fatmir Spahiu, i njohur për publikun si “Bufi”, ka reaguar publikisht pas një rasti mashtrimi përmes një thirrjeje për ndihmë dhe solidaritet, e cila ishte publikuar në platformën GoFundMe.
Spahiu ka bërë të ditur se kjo është hera e dytë që, sipas tij, qytetarët po mashtrohen përmes thirrjeve të tilla, duke shfrytëzuar ndjenjën e solidaritetit dhe gatishmërinë e njerëzve për t’i ndihmuar personat në nevojë.
Ai ka shprehur zhgënjimin e tij për këtë situatë, duke theksuar se mashtrimi përmes pretendimeve për probleme shëndetësore është veçanërisht i rëndë, pasi prek drejtpërdrejt ndjenjat dhe humanitetin e njerëzve.
“Po bëhet hera e dytë që me faqen kredibile për ndihmë e solidaritet GoFundMe, po na mashtrojnë shqiptarët e përgjakur. Qysh more ashtu?”, ka shkruar Spahiu.
Ai ka kritikuar mungesën e kujdesit dhe verifikimit para se qytetarët të kontribuojnë financiarisht, duke pranuar se edhe përkundër kujdesit të tij, është zhgënjyer për herë të dytë.
Në reagimin e tij, aktori ka theksuar se mashtrimi me shëndetin e njerëzve është i papranueshëm dhe ka shprehur keqardhje për keqpërdorimin e solidaritetit qytetar./Radio Star/










