Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka mbajtur sot një mbledhje, në të cilën, përgjatë dy orëve, ka diskutuar për një varg çështjesh.
Mbledhjen, e mbajtur në Prishtinë, në pasditen e së hënës, e ka udhëhequr kryetari i saj, Isa Mustafa.
Pas mbledhjes, partia kryesore opozitare në vend ka mbajtur një konferencë për media, ku ka dhënë qëndrimin e saj për disa tema aktuale në vend.
I pari i LDK’së, Mustafa, ka folur edhe për disa çështje të brendshme partiake.
Ka komentuar për përplasjen e ditëve të fundit mes nënkryetarit të partisë, Lutfi Haziri, dhe deputetes së Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK’së, Vjosa Osmani.
“Jashtë organeve politike ka relacione të llojllojshme, ku hyn edhe ky relacion. Por, s’kanë asnjë domethënie, apo peshë për LDK’në”, është shprehur Mustafa, teksa Haziri qëndronte pranë tij.