Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka prezantuar mundësitë për investime në Kosovë para përfaqësuesve të qeverive, institucioneve dhe investitorëve ndërkombëtarë, në edicionin e 11-të të Investment Management Exhibition (IME 2026), që po mbahet në Frankfurt të Gjermanisë.
Gjatë prezantimit, ministrja Kusari-Lila ka paraqitur zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke theksuar se vendi po synon të fuqizojë prodhimin vendor, të zhvillojë kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme dhe të rrisë eksportet.
Ministrja tha se investimet e huaja direkte kanë kaluar për herë të parë shifrën prej një miliard eurosh, ndërsa në Kosovë janë mbi 53 mijë biznese aktive dhe 426 mijë vende pune të regjistruara.
Ministrja ka veçuar edhe potencialin e sektorit të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK), eksportet e të cilit arrijnë rreth 400 milionë euro. Ndërkaq, si përparësi për investitorët ndërkombëtarë ka renditur fuqinë punëtore të re dhe të kualifikuar, tatimin në fitim prej 10 për qind, mundësinë e pronësisë 100 për qind të huaj, përdorimin e euros dhe lehtësimin e pagesave ndërkombëtare përmes integrimit në SEPA.
Një pjesë të veçantë të prezantimit ministrja Kusari-Lila ia ka kushtuar bashkëpunimit ekonomik me Gjermaninë, të cilën e ka cilësuar si një nga partnerët dhe investitorët më të rëndësishëm të Kosovës. Sipas saj, rreth 200 kompani me kapital gjerman tashmë operojnë në vend.
Pjesëmarrjen në Frankfurt e ka paraqitur si vazhdimësi të angazhimit për tërheqjen e investimeve, krijimin e partneriteteve të reja dhe integrimin e bizneseve kosovare në zinxhirët evropianë të vlerës, pas mbajtjes së Forumit të Tretë Ekonomik Gjermano-Kosovar në Prishtinë.
Ministrja Kusari-Lila ka theksuar se Kosova synon të ofrojë një mjedis të sigurt dhe të parashikueshëm për investime, duke iu referuar edhe raportit të Gallup-it për vitin 2026, sipas të cilit vendi renditet i pesti në botë për siguri dhe rend publik. Ajo ka përcjellë mesazhin se Kosova është e hapur për investime dhe e interesuar për partneritete afatgjata.










