Në Kosovë ende nuk është e rregulluar me ligj nëse pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë të drejtë që gjatë orarit të punës, përderisa janë me uniformë, të praktikojnë ritualet fetare.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj i ka thënë televizionit lokal T7 se kjo çështje kërkon zgjidhje të shpejt, pasi një polic në orar të punës e ka të pamundur të jetë në krye të detyrës, përderisa është brenda xhamisë, kishës apo ndonjë objekti tjetër fetar.
Ai është shprehur kundër prezencës së uniformës policore brenda objekteve fetare. Zyrtarët e zyrës së informimit të policisë nuk kanë dhënë më shumë detaje se si do të rregullohet kjo çështje brenda policisë.
Përpjekja për t’iu ndaluar pjesëtarëve të policisë të shkojnë në objekte fetare gjatë orarit të punës po shihet si shkelje e të drejtave të njeriut nga Bashkësia Islame e Kosovës (BIK).
Ahmet Sadriu nga BIK thotë se ky problem duhet trajtohet në aspektin e të drejtave të njeriut, pasi në bazë të ligjeve të aplikueshme në Kosovë, secilit i garantohet e drejta e besimit dhe të praktikojë fenë që i përket.
“Prandaj, në këtë aspekt mendoj se po bëhen shkelje e të drejtave të njeriut nëse nuk iu mundësohet ose jepet mundësia që edhe ata ta ushtrojnë apo praktikojnë besimin e tyre edhe me ritualet të cilat e përcjellin atë”, thotë Sadriu.
Në anën tjetër kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, thotë se gjatë kohës kur policët e kanë periudhën e lirë gjatë orarit të punës, kanë të drejtë të kryejnë ritualet fetare, mirëpo një gjë e tillë do të duhej të bëhej me rroba civile dhe jo ato të policisë.
“Ata duhet ta gjejnë një mënyrë që së paku të mos shkojnë me uniformë të policisë sepse nuk është mirë që të hyhet në objekte fetare apo tjera jo zyrtarisht me uniformë të policisë, sepse askush nuk e di pse ka hyrë aty apo për çfarë arsye. Po unë mendoj se gjatë kohës së pushimit, qoftë një orë gjatë ditës sa e kanë ose ditëve të pushimit, mendoj se policët mund t’i praktikojnë të drejtat e tyre për praktikimin e fesë, por mendoj se ata duhet të zgjedhin rrobat civile dhe jo me uniformën e policisë”, tha Shala për Radion Evropa e Lirë.
KMDLNJ planifikon që së shpejti të takojë drejtorin e ri të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj për të diskutuar këtë çështje nga aspekti i të drejtave të njeriut.
Megjithatë, edhe pjesëtarë tjerë të shoqërisë civile vlerësojnë se kjo çështje është e ndjeshme pasi e prek drejtpërdrejtë edhe fushën e të drejtave të njeriut.
Sipas Plator Avdiut nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), parësore duhet të jetë që kjo problematikë të mos ndikojë në sigurinë e qytetarëve.
“Çështja e shkuarjes së policëve në objektet fetare nuk duhet assesi të ndikojë në siguri dhe sigurisht se mund të gjendet modalitete që ritet fetare të kryhen ndoshta në një kohë të caktuar, ku nuk e afekton punën e zyrtarëve policorë në kryerjen e detyrave të tyre sa janë në orar zyrtar. Mendoj se parësore para së gjithash duhet të jetë detyra e tyre si zyrtar policor dhe pastaj çështje private të tyre si qytetar të Kosovës. Pra, mendoj se kjo assesi nuk duhet të ndikojë në sigurinë e vendit ose në kryerjen e detyrave të tyre në zbatimin e ligjit”, thotë Avdiu.
Përderisa çështja e kryerjes së ritualeve fetare gjatë orarit të punës nga ana e policëve të Kosovës nuk është e rregulluar, Ibrahim Shala zëdhënës i një institucion tjetër i sigurisë, Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), thotë se pjesëtarët e këtij institucioni nuk i frekuentojnë objektet fetare me uniformë zyrtare.
“Në FSK parësore është kryerja e obligimeve dhe aktiviteteve ditore. Nuk është praktike që pjesëtarët e FSK-së të marrin pjesë në uniforma në falje të namazit”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të FSK-së për Radion Evropa e Lirë.
Kosova në bazë të Kushtetutës është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare. (REL)