Edhe pse kemi dy rrjete të kanalizimit që kalojnë në Velekincë e derdhen në lumin Morava, qytetarët e këtushëm kanë problem me daljet e fekaleve mbi sipërfaqe.
Dy rrjete ekzistojnë praktikisht por as njëri e as tjetri nuk janë funksionalë, për arsyet që dihen!
I pari, i punuar më 2004-2005 nuk është punuar në bazë të standardeve dhe po ashtu edhe nga kompania që e ka punuar nuk janë kryer punët si duhet.
Pas shumë ankesave të banorëve, komuna e Gjilanit në vitin 2017 vendos që të investojë sërish në rrjetin e ri të kanalizimit dhe shpall fituesin e tenderit një kompani e cila i ka kryer punët në bazë të projektit, i cili projekt po del të jetë i dështuar sepse edhe në investimi e dytë vadat janë evidente në Velekincë.
Si banor i Velekincës jam shumë i zhgënjyer me këta njerëz që marrin këso vendimesh duke shpërfaqur me këto lëshime paditurinë dhe joprofesionalizmin. Të bëhet një projekt dhe mos te dalin një orë në teren, që të merrren pikat e degëzimeve dhe të vendoset gypi i rrjetit të ri, afërsisht 60 cm mbi nivelin e gypit apo rrjetit të vjetër, kjo nuk do koment. Vendin tonë dhe kontributin tonë qytetar, nuk do të lejoj të na e nëpërkëmbin në këtë mënyrë pasi që është një e drejtë qytetare që na takon me kontributin tonë. Për më keq, me projektin e dështuar, jo që e kanë ndihmuar por e kanë dëmtuar, kanë shkaktuar efekt të kundërt. I bjen fjala, si me kthy kanalizimin mbrapsht, mbi tokë, e njerëzit të jetonin nën tokë.
Komunës së Gjilanit i mbetet edhe njëherë të bëjë një projekt serioz dhe si thuhet në zhargonin popullor, mos po ia qëllon “E Treta e Vërteta”!
Riza Abdyli