Endrit Azemi, i dyshuari për mashtrimin me leukemi, përmes të cilit arriti të mblidhte gati 190 mijë euro nga qytetarët, pretendon se ishte detyruar ta bënte këtë.
Gazeta Nacionale ka mësuar detaje të reja nga hetimet që po zhvillohen për rastin, përfshirë deklarimet e Azemit para organeve të drejtësisë dhe dokumentacionin e dyshuar si të falsifikuar.
Azemi, i cili vazhdon të jetë në paraburgim pas arrestimit më 21 nëntor, ka pretenduar se pas mashtrimit të qytetarëve qëndron edhe një person tjetër.
Sipas informacioneve të siguruara nga Nacionale, Azemi, pas arrestimit dhe gjatë seancës për caktimin e paraburgimit, ka deklaruar se ishte kanosur dhe detyruar të mashtronte qytetarët për gjendjen e tij shëndetësore.
Personi nga i cili Azemi pretendon se është kanosur punon në një Qendër të Mjekësisë Familjare në Gjilan.
Nacionale ka mësuar se ky person tashmë është intervistuar nga Policia e Kosovës, por deri më tani vetëm në cilësinë e dëshmitarit.
Burime të Nacionales kanë bërë me dije se Endrit Azemi ka deklaruar që në gjithë këtë skemë, atij i ishin premtuar vetëm 10 mijë euro, ndërsa pjesa tjetër do të merrej nga dikush tjetër.
Pretendimet e Azemit për kanosje mbeten ende për t’u vërtetuar nga organet e hetuesisë.
Gazeta Nacionale ka kontaktuar edhe avokaten e Azemit, Lirije Kovani Limani, e cila ka konfirmuar se policia po heton edhe persona të tjerë lidhur me këtë rast.
Ajo ka bërë të ditur gjithashtu se ka ankimuar vendimin për caktimin e masës së paraburgimit ndaj klientit të saj.
“Mundem me konfirmu që policia po heton edhe persona të tjerë në këtë rast, ndërsa sa i përket masës së paraburgimit tashmë kam dorëzuar ankesë në Gjykatën e Apelit”, ka deklaruar avokatja për Nacionalen.
E pyetur nëse klienti i saj, Endrit Azemi, ka akuzuar dikë tjetër se e ka kanosur për ta realizuar mashtrimin, avokatja ka thënë se aktualisht nuk mund ta konfirmojë këtë, pasi rasti është ende nën hetime.
Gazeta Nacionale ka parë edhe dokumentacionin mjekësor përmes të cilit pretendohej se Endrit Azemi vuante nga leukemia dhe kishte nevojë për trajtim në Turqi.
Ajo që bie në sy në këto dokumente është përdorimi i të dhënave reale, të cilat i japin besueshmëri dokumentacionit të dyshuar si të falsifikuar.
Nga verifikimet e Nacionales rezulton se spitali i përmendur në dokumente ekziston në Stamboll. Real është edhe emri i mjekut që figuron në dokumentacion.
Po ashtu, numri i telefonit dhe adresa e faqes së internetit përputhen me kontaktet zyrtare të spitalit.
Megjithatë, dokumentacioni përmban disa elemente që ngrenë dyshime mbi autenticitetin e tij.
Një prej tyre është kodi QR, i cili gjatë verifikimit nga Nacionale rezultoi i paqasshëm.
Një tjetër detaj është një gabim drejtshkrimor në emërtimin e dokumentit financiar. Në vend të termit “PROFORMA”, në dokument figuron termi “PREFORMA”.
Bëhet fjalë për profaturën, dokumentin që përmban çmimet e propozuara për shërbimet, përpara arritjes së marrëveshjes dhe lëshimit të faturës përfundimtare.
Ndonëse një gabim i tillë nuk përbën në vetvete provë të falsifikimit, ai bie në sy në një dokument që pretendohet se është lëshuar nga një institucion serioz shëndetësor, ku zakonisht përdoren formularë të standardizuar.
Profatura prej mbi 250 mijë eurosh
Një tjetër aspekt që mbetet për t’u sqaruar është vlera e trajtimit të pretenduar në spitalin turk.
Sipas dokumentacionit që ka parë Nacionale, shuma e përgjithshme e detyrimeve financiare, në rast të shfrytëzimit të të gjitha shërbimeve të renditura në profaturë, tejkalon 250 mijë euro.
Përmes fushatës humanitare për trajtimin e pretenduar, ndërkaq, ishin mbledhur gati 190 mijë euro nga qytetarët.
Se kush e përpiloi dokumentacionin, si u përcaktuan këto shuma dhe nëse persona të tjerë ishin të përfshirë në organizimin e mashtrimit, mbetet për t’u zbardhur.
Gazeta Nacionale do të publikojë edhe pjesë të tjera të dëshmive që u janë dorëzuar organeve të hetuesisë lidhur me këtë rast.










