Me krenari, emocion dhe mirënjohje të thellë, ndaj me ju një nga arritjet më të rëndësishme të rrugëtimit tim profesional dhe akademik.
Më 24.11.2026, u licencova zyrtarisht si Auditor Ligjor (Statutory Auditor) nga Këshilli i Kosovës për Raportim Financiar (KKRF), në kuadër të Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës.
Para së gjithash, falënderoj Zotin për forcën, shëndetin dhe mundësinë që më ka dhënë për të arritur deri në këtë ditë.
Një falënderim të veçantë, që buron nga thellësia e zemrës, ia kushtoj babait tim Reshat Rexhepi të ndjerë. Sikur të ishte sot në mesin tonë, jam i bindur se do të ishte njeriu më i gëzuar, ndoshta edhe më shumë se unë. Edhe pse fizikisht nuk është pranë meje, edukata, këshillat dhe vlerat që më ka trashëguar vazhdojnë të më udhëheqin në çdo hap të jetës. Këtë arritje ia kushtoj me dashuri, mall dhe mirënjohje të përjetshme.
Falënderoj nga zemra familjen time të dashur për durimin, sakrificat, mirëkuptimin dhe mbështetjen e pakushtëzuar. Në çdo sfidë, në çdo vështirësi dhe në çdo sukses, familja ime ka qenë forca dhe mbështetja ime më e madhe.
Një mirënjohje e veçantë i takon Institutit KAF, ku filloi dhe u zhvillua rrugëtimi im drejt kualifikimeve profesionale, nga Teknik i Kontabilitetit, Kontabilist i Certifikuar, Auditor i Jashtëm dhe Auditor i Brendshëm, deri te kurorëzimi i këtij rrugëtimi me licencimin si Auditor Ligjor nga KKRF-ja.
Pas shumë vitesh studimi, pune, angazhimi, përkushtimi dhe sakrifice, kjo arritje nuk përfaqëson vetëm një titull të ri profesional, por edhe një përgjegjësi më të madhe ndaj profesionit, ruajtjes së integritetit, pavarësisë, etikës profesionale dhe mbrojtjes së interesit publik.
Besoj fuqishëm se asnjë sukses i qëndrueshëm nuk ndërtohet brenda një dite. Ai është rezultat i punës së vazhdueshme, disiplinës, durimit, besimit dhe këmbënguljes për të mos u dorëzuar përballë sfidave.
Falënderoj të gjithë ata që, në mënyra të ndryshme, kanë kontribuar në formimin dhe rrugëtimin tim profesional e akademik. Për secilin prej jush do të mbetem mirënjohës gjatë gjithë jetës.
Një ëndërr e realizuar, një objektiv i përmbushur, një titull i ri profesional dhe një kapitull i ri në jetën time, që fillon me përkushtim, dinjitet dhe përgjegjësi.
Me respekt dhe mirënjohje të përjetshme!
I juaji,
Prof. Dr. Burhan Reshat Rexhepi
Auditor Ligjor – Statutory Auditor
Licenca nr. 170 – KKRF










