Katër anëtarë të një institucioni të pavarur kushtetues, i cili nuk është kapur ende nga pushteti i Lëvizjes Vetëvendosje, pritet të shkarkohen sot nga Kuvendi i Kosovës.
Ata janë anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil (KPMShCK), një organi publik që mbikëqyr respektimin e rregullave të shërbimit civil dhe shqyrton ankesat e nëpunësve civilë.
Propozimi për shkarkimin e tyre po shqyrtohet sot në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës. Rekomandimi ka ardhur nga Komisioni për Administratë Publike i Kuvendit të Kosovës.
Formalisht, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosjes e kanë arsyetuar rekomandimin për shkarkim me “shpërfillje të Ligjit” gjatë punës së tyre në këtë Këshill. Ndërsa deputetët e opozitës e kanë kundërshtuar rekomandimin. E kanë akuzuar mazhorancën se rekomandimi është i motivuar politikisht.
Nga katër anëtarët e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për të cilët është rekomanduar shkarkimi, një prej tyre është ish-anëtar i një partie politike. Një tjetër anëtar, gjatë intervistimit në Komisionin për Administratë Publike disa javë më parë, kishte deklaruar se është përkrahës i Partisë Demokratike të Kosovës.
Për dy anëtarët e tjerë, nuk ka të dhëna publike që i lidhin ata me subjektet politike.
Katër anëtarët janë Arben Mehmeti, Ardita Haxhnikaj-Demi, Malsore Gashi dhe Eshref Shabani, të zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës në tetor të vitit 2020 me mandat 7-vjeçar.
Arben Mehmeti, i cili është kryesues i Këshillit, para emërimit në këtë institucion ka qenë aktiv në politikë si zyrtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në degën e Gjilanit.
Eshref Shabani është ish-kryetar i Këshillit, aktualisht anëtar. Gjatë procesit të përzgjedhjes së tij në këtë pozitë më 2020, ai kishte marrë vlerësim pozitiv nga ekspertët britanikë që kishin monitoruar procesin.
Ardita Haxhnikaj-Demi, anëtare, erdhi në Këshill nga një e kaluar në Administratën Tatimore të Kosovës, ku kishte mbajtur pozita drejtuese në zyrën ligjore, departamentin e trajnimeve dhe atë të edukimit të tatimpaguesve.
Ndërsa anëtarja Malsore Gashi, po ashtu e zgjedhur në pozitë më 2020, ishte vlerësuar pozitivisht si kandidate e emërueshme nga ekspertët britanikë që monitoronin konkursin.
Kuvendi i Kosovës, i kishte shkarkuar të njëjtit katër anëtarë bashkë me një tjetër, në qershorin e vitit 2021.
Por, vendimi i Kuvendit ishte shpallur anti-kushtetues përmes një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese në dhjetorin e vitit 2021, duke theksuar se anëtarët e KPMSHCK-së gëzojnë pavarësi në vendimmarrje dhe imunitet funksional nga shkarkimi për vendimet e marra në kuadër të detyrës së tyre kushtetuese e ligjore. /Paparaci.com














