Për herë të dytë, Kuvendi i Kosovës ka shkarkuar këtë të enjte katër anëtarët e Këshillit Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil.
Katër anëtarët, të cilët kishin mandat deri në tetorin e vitit të ardhshëm e të cilët ishin shkarkuar edhe në vitin 2021 por ishin kthyer në punë nga Gjykata Kushtetuese, u shkarkuan sërish sot me votat e deputetëve të shumicës parlamentare.
Rekomandimi për shkarkimin e tyre erdhi nga Komisioni për Administratë Publike me arsyetimin për “shpërfillje ligjore” gjatë punës së tyre. Deputetët e opozitës e cilësuan rekomandimin si të motivuar politikisht.
Të shkarkuarit janë Arben Mehmeti, Eshref Shabani, Ardita Haxhnikaj-Demi dhe Malsore Gashi.
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërbimit Civil është institucion i pavarur kushtetues, i cili mbikëqyr rregullat e shërbimit civil dhe shqyrton ankesat e nëpunësve civil në rastet kur ata largohen nga puna, suspendohen ose u shqiptohen masa disiplinore.
Para se të shkarkoheshin të enjten, muajin e kaluar, anëtarët e KPMSHCK-së ishin ftuar për raportim në Komisionin për Administratë Publike ku ishin ballafaquar me deputetët e mazhorancës me pyetje absurde.
Në rastin e raportimit të anëtarit Eshref Shabani, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Bajrami e kishte pyetur Shabanin se cilës parti politike i përkiste ai.
Shabani i ishte përgjigjur direkt deputetit. Kishte deklaruar se është krenar për përkatësinë e tij politike me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).
“Nuk jam momentalisht duke u marrë me politikë”, kishte thënë fillimisht ai.
“Për një gjë të jeni të sigurt, qe gjashtë vite jam anëtar i Këshillit. E kam provuar shkarkimin nga kuvendi, i cili pastaj ka dal kundër kushtetues. Mund t’i merrni të gjitha vendimet dhe sa prej tyre m’i ka kthyer gjykata e shihni punën time. E sa i përket cilës parti.. jam shumë krenar që jam me PDK-në dhe jam shumë krenar që puna që e kam bërë në Këshill juve, deputetëve të VV-së, nuk ju pëlqen”, ishte shprehur Shabani.
Kuvendi i Kosovës, i kishte shkarkuar të njëjtit katër anëtarë bashkë me një tjetër, në qershorin e vitit 2021.
Por, vendimi i Kuvendit ishte shpallur anti-kushtetues përmes një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese në dhjetorin e vitit 2021, duke theksuar se anëtarët e KPMSHCK-së gëzojnë pavarësi në vendimmarrje dhe imunitet funksional nga shkarkimi për vendimet e marra në kuadër të detyrës së tyre kushtetuese e ligjore. /Paparaci.com










