Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Gjilani” ka organizuar koncert festiv me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, duke sjellë para publikut një program të pasur artistik, të përbërë nga këngë shqipe, valle tradicionale dhe interpretime skenike.
Në këtë koncert u prezantuan solistë e këngëtarë, valltarët e ansamblit, orkestra profesionale, grupi burimor i surlës dhe tupanëve, si dhe interpretues të monologut. Pjesë e programit ishin edhe fëmijët parashkollorë të shkollës “Thimi Mitko”.
Për realizimin e koncertit kontribuuan artistë, koreografë, bashkëpunëtorë dhe institucione, ndërsa organizatorët shprehën mirënjohje të veçantë për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Turizmit, Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport të Komunës së Gjilanit, Teatrin e Qytetit dhe mediat lokale për mbështetjen dhe bashkëpunimin.
Në një falënderim publik, drejtori i Ansamblit, Afrim Haziri, vlerësoi kontributin e të gjithë pjesëmarrësve, organizatorëve dhe publikut, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes, kultivimit dhe promovimit të këngës, valles dhe traditës kombëtare.
Ansambli “Gjilani” falënderoi të gjithë ata që u bënë pjesë e kësaj feste, duke e cilësuar mbështetjen e publikut si motivim për vazhdimin e aktiviteteve kulturore dhe artistike.










