Federata e Futbollit e Kosovës ia ka besuar gjyqtarit Mentor Ajeti drejtimin e derbit të madh të futbollit kosovar, ndërmjet SC Gjilanit dhe FC Dritës, i cili zhvillohet sot nga ora 16:00, në stadiumin me bari sintetik në Gjilan.
Të dyja skuadrat hyjnë në këtë përballje me objektiva të qarta, duke synuar vazhdimin e rezultateve pozitive. SC Gjilani vjen pas humbjes së pësuar në Suharekë, ndërsa FC Drita pas fitores dramatike ndaj Feronikelit ’74, me rezultat 4:3.
Derbi pritet të sjellë një përballje të fortë dhe me rivalitet të lartë sportiv, ku përveç paraqitjes së dy skuadrave, vëmendje të veçantë do të marrë edhe puna e ekipit të gjyqtarëve.
Duke pasur parasysh debatet dhe polemikat e fundit rreth vendimeve të referimit në futbollin kosovar, si dhe kritikat e ngritura ndaj funksionimit të sistemit VAR, drejtësia në fushë do të jetë një nga elementet që do të përcillet me vëmendje të veçantë.
Mentor Ajeti do të jetë gjyqtari kryesor i kësaj sfide, ndërsa mënyra se si do ta menaxhojë një ndeshje me kaq shumë peshë sportive dhe emocionale do të jetë në vëmendjen e opinionit futbolldashës.
Në një derbi të përmasave të tilla, pritet që referimi të jetë në nivelin e duhur profesional, duke garantuar zbatimin e rregullave dhe zhvillimin e ndeshjes me korrektësi sportive./Radio Star/











