Shpëtim Duro ka nisur misionin e tij në futbollin kosovar.
Trajneri nga Shqipëria mori të hënën drejtimin e Dritës së Gjilanit, derisa sot zhvilloi përgatitjen e parë.
Në intervistën për Gazeta Olle, Duro zbulon njoftësinë e tij me futbollin kosovar dhe ish-futbollistin e tij tek Besa e Kavajës, Liridon Lecin, tashmë lojtar i Dritës.
“Ajo që më shtyri të marrë drejtimin e Dritës është profesioni im”, thekson Duro.
Ai sqaron se ka dijeni të mira për Dritën dhe futbollin e Kosovës. “Jo vetëm Dritën, por në tërësi e njoh kampionatin se e ndjek nëpërmjet TV. Por, ka dhe lojtar që i kam drejtuar në periudha të ndryshme. Psh. me Lecin ritakohem pas 9 vitesh kur drejtoja Besën e Kavajës, atë kampionat një nga më të mirët në Shqipëri”, thekson ish-trajneri i shumë skuadrave në Shqipëri dhe Shkëndijës së Tetovës.
Duro të dielën do të debutojë ndaj Prishtinës së Mirel Josës, në javën e gjashtë të IPKO Superligës. “Sigurisht se me Mirelin jemi miq, por tani jemi kundërshtar dhe secili nga ne kërkon maksimumin e tij”.
Për fund, trajneri i ri i Dritës ka një mesazh për tifozët gjilanas, Intelektualët. “Janë tifozeri e jashtëzakonshme, me shpresë për të ndryshuar situatën”, u shpreh ai.
Pas pesë javësh, Drita ka grumbulluar vetëm tri pikë, duke rreshtuar katër humbje.