Largimi i befasishëm nga puna i prokurorit Elez Blakaj, i cili zhvilloi hetime ndaj veteranëve mashtrues të UÇK-së dhe lista e publikuar e këtyre të fundit, kanë ngjallur reagime të shumta në opinion. E për këto zhvillime sot ekskluzivisht për Indeksonline ka folur Kryeprokurori i Shtetit, Aleksander Lumezi.
Ai ka bërë të ditur se mund të fillojë një procedurë hetimore për personat apo personin që nxori në publik listat e personave që cilësohen si mashtrues të statusit veteran të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas Lumezit, do të shikohet mundësia e mbledhjes së informacioneve dhe fakteve për atë që ka nxjerrë këto lista.
Ndoshta ne do të shikojmë mundësinë nëse kemi fakte dhe informacione që dikush ka nxjerrë këto lista, atëherë normal që mund të fillojmë një procedurë penale. Por të dhënat e tyre janë të përfshira në aktakuzë dhe në momentin e dërgimit të aktakuzës në Gjykatë ajo në parim duhet të iu shpërndahet edhe personave përgjegjës dhe në këtë rast 12 personave që kanë qenë të akuzuar. Por për këtë duhet të tregojë më mirë Gjykata se çfarë ka bërë me atë që ne i kemi dërguar”, ka thënë Lumezi për Indeksonline.
Lumezi ka bërë të ditur se çështja duhet të fillojë tek të dhënat personale, te publikimi i tyre më pas të dihet se kush i nxori ato në publik dhe se çfarë dënimi mund të ketë.
“Patjetër që në aktakuzë duhet të jenë të përfshira emrat e personave që konsiderohet se janë përfshirë si përftues të kundërligjshëm. Se kush e ka zbuluar atë informacion në publik ne nuk e dimë ende por që sigurisht mundemi të fillojmë një procedurë dhe të shikojmë se kush e ka qit atë në publik. Ndoshta kjo çështje duhet të fillojë tek të dhënat personale, pra të dihet kush e ka zbuluar atë pjesë dhe të shihet cili është dënimi i parashikuar në bazë të informacioneve”, ka shtuar tutje Lumezi.
Kryeprokurori Lumezi gjithashtu ka folur lidhur me deklaratën e fundit të bërë nga ish-prokurori i Speciales, Elez Blakaj i cili tha se nuk merr përgjegjësi për listat e publikuara pasi sipas tij në këto lista janë shtuar dy mijë emra, për të cilët ai nuk ka dijeni. Sipas Lumezit nuk janë shtuar emra dhe listat nuk janë prekur.
“Faktikisht ne nuk kemi shtuar emra, nuk kemi prekë listat, pra listat janë përpiluar nga prokurori Blakaj edhe aplikacionet janë kontrolluar nga Blakaj, pra të gjitha janë kryer nga ai. Kështu që aplikacionet të cilat ai i ka identifikuar gjatë fazës së hetimeve për çështjes në kundërshtim me ligjin ne i kemi vu në aktakuzë, prokurori i ri nuk ka marrë hapa hetimor, vetëm e ka rishikuar rastin të cilin e ka punuar Blakaj dhe e ka dhënë propozimin për ndalimin e pagesave të veteranëve. Domethënë hetime nuk ka bërë, vetëm i ka mbledhë të gjitha ato që i ka përpunuar prokurori Blakaj”, ka thënë kryeprokurori Lumezi.
I pari i prokurorisë ka deklaruar se nëse ndonjë veteran luftëtar i UÇK-së është dëmtuar duke iu përfshirë emri në listën e përfituesve të kundërligjshëm atëherë do të bëhet kërkesë që emrat e tyre të tërhiqen si përfitues të kundërligjshëm dhe me këtë rast do t’i propozohet Gjykatës, që në bazë të dokumentacionit ndaj tyre të mos zbatohet masa e përkohshme e ndalimit të pagesës së pensionit personal të veteranit të luftës së UÇK-së.
Kreu i Prokurorisë së Shtetit është pyetur edhe për atë se si do të reagohet ndaj Blakajt në rast se ka bërë lëshime të tilla, duke vënë emra të luftëtarëve të vërtetë në listat e mashtruese.
Lumezi nuk beson që ka pasur aq shumë gabime.
“Unë nuk besoj që ka aq shumë gabime, por listat janë bërë nga prokurori Blakaj në bazë të identifikimit të aplikacioneve dhe kritereve të cilat janë përcaktuar për të ditur përfituesit e beneficioneve nga statusi veteran i UÇK-së. Ka shumë persona që nuk vërtetojnë se ishin veteran pasi janë kriteret e parapara ato që i zgjedhin, e këta i takojnë grupit të kundërligjshëm”, ka shtuar Lumezi.
Ai ka deklaruar se nuk e di arsyen e largimit të Blakajt dhe se sipas tij këtë mund ta tregojë vetë ai.
Ndryshe 46 mijë veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës morën pensione prej nga 170 euro, 20 mijë prej të cilëve theksohet të kenë qenë mashtrues, që buxhetit të vendit i kushtuan 68.153.533.14 euro.