Nxënësit e fshatit Haxhaj, Demiraj dhe Selishtë, të Komunës së Gjilanit, edhe këtë vit shkollor e kanë nis në hapsirat e objektit të xhamisë së fshatit Haxhaj. Kështu ka ndodhur, sepse, punimet e filluara për ndërtimin e objektit të ri shkollor, kanë ngelur të pa përfunduara.
Prindërit e këtyre nxënësve thonë se punët për ndërtimin e shkollës së re, janë larg asaj që kanë pritur. Sipas tyre, kushtet ku mësojnë aktualisht fëmijët e tyre, janë të pa përballueshme, veçmas gjatë stinës së dimrit.
Të njejtit shprehen të brengosur për fatin dhe shëndetin e fëmijëve të tyre, tashmë kur ka filluar edhe stina e vjeshtës.
Megjithëkëtë, jetojnë me shpresë se këtyre ditëve do të rinisin punimet për finalizimin e objektit të ri shkollor.
Se kanë ngecur punët për ndërtimin e kësaj shkolle është pohuar edhe nga autoritetet e Komunës së Gjilanit.
Nga ana e tyre është thënë se operatori ekonomik është zotuar se deri kah mesi i muajit tetor, do të merret me punët e pa përfunduara të kësaj shkolle.
Në të kundërtën, autoritetet në fjalë, kanë paralajmëruar se ky operator ekonomik,do të ndëshkohet me shkëputje të kontratës. /GJILANI.INFO/