Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka arsyetuar vendimin e partisë së tij për të mos iu bashkuar protestës së organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Sipas Hazirit, LDK kishte ndjekur rrugën e protestave para luftës së fundit në Kosovë dhe tani sipas tij nuk kanë parë momentum për të dalë në rrugë.
“Ajo që kemi parë viteve të fundit, degjenerimi i protestave, në dhunë dhe në atak personal dhe institucional natyrisht që LDK’në e bën me ju kthy besimit të vet edhe mjeteve të veta politike që të punojë brenda institucioneve më shumë sepse protestat tek ne as nuk bëhen në përputhje me legjislacionin në fuqi e as që përfundojnë mirë dhe sidomos kohëve të fundit kanë përfunduar jashtëzakonisht keq”, tha Haziri në emisionin ‘Jeta në Kosovë’.
Haziri tha se janë të shqetësuar për një eskalim të mundshëm të protestës të së shtunës, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë e organizimit të vetë LDK’së në një protestë
“LDK’ja pas luftës është fokusuar në ndërtimin e institucioneve dhe shtetësisë dhe roli i saj është përqendruar në institucione e jo në rrugë, shprehjen e pakënaqësive apo organizim të protestave. Nëse e kemi parasysh rezistencën aktive që ne e kemi pas në politikë si mjet kryesor protestën, dalje në rrugë, ngujimi e masiviteti që na ka përcjellë. Praktikisht vokacioni jonë prej rezistencës e cila ka qenë protestë në rrugë, pas luftës ka kaluar në përqendrim në institucione por nuk është përjashtuar asnjëherë si mundësi e shprehjes të pakënaqësive politike”, tha Haziri.