Shteti i Kosovës nuk është duke e trajtuar diasporën ashtu siç e meriton. Diaspora sa i përket votimit, është më shumë se e keqtrajtuar.
Kështu ka thënë ministri i Diasporës Dardan Gashi gjatë raportimit lidhur me Ligjin për Diasporë dhe çështje tjera nga fushë veprimtaria e Ministrisë para Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike.
Gashi ka pranuar se Kosova ka dështuar të bëjë zgjidhje për Kartonin e Gjelbër.
Për të krijuar një ligj sa më gjithëpërfshirës dhe sa më adekuat për diasporën, Gashi propozoi që debatet publike për këtë projektligj dhe debati për pjesëmarrjen e diasporës në institucionet e Kosovës të bëhet në shtetet ku gjendet diaspora.
Gashi ka njoftuar Komisionin se qendrat kulturore i kanë mbyllur të gjitha në diasporë, dhe sipas tij, ideja është që me Shqipërinë këto qendra të jenë të përbashkëta.
Deputetja e Vetëvendosjes Fitore Pacolli ka thënë se dikush duhet të marr përgjegjësinë pse janë themeluar Qendrat kulturore në diasporë dhe janë dështuar. Me anë të këtij projektligji, Pacolli po dyshon se Ministria e Diasporës po e mashtron diasporën për Kartonin e Gjelbër dhe për bankën e diasporës.
Ministri Gashi ka thënë se mendojnë që me anë të këtij ligji do të bëhet zgjidhja e krijimit të Kartonit të Gjelbër dhe të Bankës për diasporën, duke obliguar Qeverinë me Ligj.
Deputeti i Nismës Zafir Berisha tha se diaspora duhet të jetë më aktive në skenën politike në vend dhe duhet analizuar mirë përfaqësimi i diasporës në kuvend.
Për çështjen e debateve publike në diasporë, kryetarja e këtij Komisioni, Vjosa Osmani ka ngritur çështjen shpenzimeve ose mbulimin e tyre.