Gjilan, 3 tetor – Mosofrimi i ndihmës së parë një 63-vjeçari i ka kushtuar me dënim 43-vjeçarit H.H., i cili është dënuar nga Themelorja e Gjilanit me 300 euro.
Ngjarja ka ndodhur një vit më parë, kur 63-vjeçari ishte shtrirë befasisht pa ndjenja në rrugë, teksa i dënuari që ngiste një kamionçinë nuk i ka ofruar ndihmë nevojtarit, i cili ka ndërruar jetë më pas. Situata është filmuar nga kamerat në afërsi.
I akuzuari e ka pranuar fajësinë duke bërë që prokuroria të heqë dorë nga dëgjimi i dëshmitarëve dhe nga shtjellimi i provave materiale.
Kurse mbrojtja e të akuzuarit, të cilin e ka përfaqësuar avokati Ramiz Sylejmani, ka hequr dorë nga e drejta në ankesë pas arritjes së marrëveshjes për pranimin e fajësisë.
I pandehuri H.H. me mosveprim nuk i ka ofruar ndihmë personit tani të ndjerit M.E., jeta e të cilit ka qenë në rrezik të drejtpërdrejtë, ashtu që përderisa i pandehuri ka qenë duke vozitur kamionçinën e sheh tani të ndjerin të shtrirë në rrugë dhe përkundër kërkesës për ndihmë nga kalimtari i rastit, i njëjti ndalon kamionçinën dhe prapë vazhdon rrugën dhe nuk ia ofron ndihmën e nevojshme, edhe pse këtë ka mundur ta bënte pa rrezik të madh për veten apo për personin tjetër, kështu që i njëjti me mosveprimin e tij ka kërcënuar normat morale dhe shoqërore në dhënien e ndihmës personave të cilët gjenden në rrezik për të humbur jetën. E gjykon me dënim me gjobë të akuzuarin në shumë prej 300 eurosh, të cilin dënim është i obliguar që të paguajë në afatin prej 15 ditëve nga data e marrjes së aktgjykimit