Dy javë kanë kaluar prej kur furishëm filloi fushata e madhe për pastrimin e Kosovës. ?Aksioni ‘Ta Pastrojmë’ Kosovën, i cili organizohet në kuadër të Task Forcës për Mbrojtjen e Ambientit, duket se është zbehur paksa.
Për këtë projekt tre mujor janë ndarë nga buxheti rreth 700 mijë euro.
Të mërkurën aktivistë të organizatës Let’s Do It Kosova vazhduan aktivitetin e pastrimit. Kësaj here zgjodhën rrugët në magjistralen Prishtinë-Fushë Kosovë.
Luan Hasanaj, nga kjo organizatë mohon rënien e intensitetit të punëve në kuadër të fushatës që do të zgjasë tre muaj.
Deri më tani, në kuadër të aksionit në tërë territorin, janë mbledhur 15 tonë mbeturina. Synimi i organizatës është largimi i mbi një mijë deponive ilegale.
Të mërkurën në mesditë, aksionit iu bashkua edhe Egzona Hajrullahu, studente nga Lugina e Preshevës.
Ajo thotë se ka udhëtuar nga Presheva që mos t’i ndahet qëllimit që ka organizata.