Komisioni parlamentar për Zhvillim Ekonomik dje ka miratuar Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Automjetet, në të cilin hyn edhe amendamenti që kufiri i vjetërsisë së automjeteve që mund të importohen të rritet nga 10 në 15 vjet.
Megjithëse përkrahje për këtë ndryshim kanë dhënë deputetët e partive në pushtet, opozita dhe shoqëria civile po shprehen kundër këtij vendimi, që sipas tyre ndikon në ndotjen e ajrit dhe rritjen e numrit të aksidenteve në komunikacion për shkak të vjetërsisë së veturave.
Anëtarja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se ky subjekt politik nuk do ta përkrahë Projektligjin as në seancë plenare të Kuvendit.
“Unë edhe dje kam votuar kundër në Komision dhe si LDK nuk do ta përkrahim këtë Ligj në lexim të dytë. Arsyeja është se ne mendojmë që nuk është absolutisht e nevojshme që të zgjatet vjetërsia e veturave nga 10 vjet në 15 vite, sa ka propozuar grupi punues dhe Komisioni dje. Kjo ndikon në radhë të parë në ndotjen e ambientit, ndikon gjithashtu në rritjen e probabilitetit për aksidente, domethënë drejtpërdrejt është e lidhur me sigurinë e pasagjerëve të veturave”, tha Bajrami për ‘kallxo.com’.
Sipas Bajramit, të njëjtin konfirmim e ka marrë edhe nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Partisë Socialdemokrate.
Ndërsa, Dardan Sejdiu nga PSD-ja, dje në mbledhjen e Komisionit ka deklaruar se qëndrimin kundër ndryshimit të Ligjit për Automjete do ta mbajë edhe në seancë plenare.