Partia Socialdemokrate dhe Aleanca Kosova e Re, shumë shpejt mund të krijojnë koalicion për qeverisjen e komunës së Kamenicës.
Tashmë, sipas AKR-së, kanë filluar bisedimet për një gjë të tillë ndërmjet zyrtarëve të të dyja palëve, me kërkesë të kryetarit të Kamenicës, Qëndron Kastrati, raporton KTV.
Megjithatë, kryetari i kësaj komune e thotë të kundërtën, se AKR-ja është ofruar vet për të bërë koalicion, por ai shton se është i hapur për bashkëpunim.
Lëvizja Vetëvendosje, ani pse udhëheq me shumicën e drejtorive në komunën e Kamenicës, po e shqyrton mundësinë e largimit nga bashkëqeverisja, për shkak të kërkesës për largim të drejtoreshës së Arsimit, Ismete Thaçi.
“Vendimin për largim ose jo nga bashkëqeverisja me Qëndronin ende si subjekt nuk e kemi marrë në organet e Lëvizjes, por shpejt e marrim. Personalisht, mendoj që duhet të largohemi. Arsyet e një prishjeje të mundshme lidhen me mosofrimin e hapësirës së nevojshme për ta jetësuar Platformën Qeverisëse të Lëvizjes Vetëvendosje, për të cilën na kanë votuar qytetarët. Nëse dikush duhet të japë dorëheqje për paaftësi, ai është Qëndron Kastrati, i cili krejt energjinë e tij e ka fokusuar në sulme dhe hakmarrje ndaj aktivistëve të Lëvizjes”, ka thënë Bajram Mavriqi, kryetar i Degës së VV-së në Kamenicë.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ditë më parë, kishte kërkuar dorëheqjen e drejtoreshës së Arsimit në këtë komunë, Ismete Thaçi, por kjo e fundit nuk kishte pranuar ta bënte këtë, për çka është shkarkuar pastaj.