Kombëtarja e Kosovës në futboll, U21 sonte do të ballafaqohet me Izraelin, në sfidën e fundit në ciklin e tyre para kualifikues për Evropianin 2019.
“Dardanët” e rinj mbrëmë kanë zhvilluar seancën e fundit para duelit me izraelitët.
Përzgjedhësi Rafet Prekazi me ndihmësin Erdogan Celina gjatë kësaj stërvitjeje, e cila u zhvillua në stadiumin “Ramat Gan” në Tel-Aviv, punuan në skema të ndryshme dhe dhanë idetë e tyre të fundit për lojtarët, njofton FFK.
Prekazi kërkoi nga futbollistët që të jenë syçelë dhe të mos i lejojnë hapësira kundërshtarit, duke e ditur që në ndeshjen e parë izraelitët kishin shfrytëzuar në maksimum mundësitë që iu dhanë para portës sonë.
Nga djemtë po ashtu u kërkua që ndeshjen e fundit ta luajnë pa presion, por me angazhim maksimal dhe me dëshirë për sukses. Gëzon fakti se gjendja e të gjithë futbollistëve është shumë e mirë dhe që të gjithë janë të gatshëm për të dhënë maksimumin në duelin e nesërm, transmeton RTKlive.
Deklaruan pas stërvitjes
Mirlind Daku: “Sigurisht se ndeshja me Izraelin nuk do të jetë e lehtë, por ne kemi punuar shumë gjatë këtyre ditëve dhe jemi optimist për sukses. Duam që të dëshmojmë si me lojë ashtu edhe me rezultat se humbja në Mitrovicë nuk ka qenë epilog real. Kam besim te ky kolektiv dhe shpresoj ta kemi ditën tonë”.
Ndeshja Izrael – Kosovë luhet në stadiumin “Ramat Gan” në orën 18:00 sipas kohës në Tel Aviv.