Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal miratoi sot raportin me rekomandime për plotësim-ndryshimin e Ligjit për automjete, ku lejohet importimi i veturave të përdorura deri në 15 vjet.
Me këtë vendim, Përfaqësuesja Speciale e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova është shprehur e zhgënjyer.
Apostolova është shprehur se një veprim i tillë do të ndikojë drejtpërdrejt në ndotjen e ajrit në Kosovë dhe është kundër objektivave të BE-së, transmeton Indeksonline.
Tutje, ajo thotë se ky vendim është në kundërshtim me ligjin për mbrojtjen e ajrit dhe në kundërshtim me Rezolutën e Asambles mbi ndotjen e ajrit.
“Jemi të zhgënjyer me vendimin e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, për rritjen e moshës maksimale të makinave të importuara të përdorura deri në 15 vjet, pavarësisht se e kemi ngritur shqetësim për këtë gjatë takimit të Komitetit të MSA-së javën e kaluar. Një veprim i tillë do të ndikonte drejtpërdrejt në ndotjen e ajrit në Kosovë dhe është qartë kundër objektivave të BE. Vendimi i Komitetit është kundër Ligjit për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja dhe në kundërshtim me Rezolutën e Asamblesë mbi Ndotjen e Ajrit, e miratuar në shkurt të këtij viti si një nga prioritetet më të larta në nivel kombëtar në atë kohë”, ka thënë ajo.
Edhe, ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt i është bashkuar Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, kundër projektligjit që mundëson importimin e veturave të vjetra deri në 15 vjet.
Ndryshe, Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal ka miratuar raportin me rekomandime për plotësim-ndryshimin e Ligjit për automjete, pavarësisht se deputetët e opozitës Mimoza Kusari-Lila, Dardan Sejdiu dhe Hykmete Bajrami kanë bojkotuar mbledhjen.