Mësimdhënësit e viteve të ’90-ta në Kosovë akoma nuk e kanë të zgjidhur statusin e tyre.
Statusi i punëtorëve të arsimit shqip në Kosovë nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99, ende nuk është zgjidhur përfundimisht, pavarësisht se në muajin maj të këtij viti kishte kaluar në shqyrtim të parë Projektligji për njohjen e statusit të tyre.
Rrahman Jashari, kryetar i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), shpreson që ky projektligj këtë muaj do të shkojë për lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës .
Sipas tij, pas takimeve të shumta që kanë pasur me anëtarët e Komisionit Parlamentar për Arsim dhe duke e parë se deputetët e Kuvendit e kanë votuar në lexim të parë projektligjin për statusin e mësimdhënësve të viteve ’90-ta, shpreson se edhe në leximin e dytë deputetët do ta votojnë.
“Në bazë të bisedave që ne i kemi me deputetët por edhe duke e ditur se ata e votuan projektligjin në leximin e parë, jemi të sigurt se për hir të respektit që kanë për vitet e ’90-ta do ta votojnë edhe në leximin e dytë dhe më në fund mësimdhënësit dhe arsimi i asaj kohe do ta ketë ligjin e vet. Besoj që shumë shpejt do të vij momenti i leximit të dytë dhe po them se jam i sigurt se deputetët shqiptarë në shenj respekti që e kanë për mësuesit për vitet e ’90-ta do ta votojnë”, ka deklaruar Jashari për lajmi.net.
Ai shtoi se, në rast se ndodh e kundërta, pra nuk shkon në Kuvend dhe nuk votohet projektligji në lexim të dytë atëherë, SBASHK-u nuk do të rrijë duarkryq.
“Nëse ndodh e kundërta dihet se SBASHK-u është i përgatitur dhe këtë e ka treguar edhe në të kaluarën që të veproj në bazë të zërit të mësimdhënësve dhe veprimi me siguri se do të janë veprime sindikale të cilat do t’i caktoj Këshilli Drejtues i SBASHK-ut”, theksoi Jashari.
Ai po ashtu tregoi se një pjesë të debateve, në takimet me Komisionin Parlamentar për Arsim ku kanë marrë pjesë përfaqësues të SBASHK-ut, kanë reaguar në lidhje me kategorizimin e përfituesve që është bërë.
Sipas tij, arsyeja përse kanë reaguar ka qenë për shkak të përqindjes së ulët të përfitimit.
Kujtojmë se në maj të këtij viti, Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99, me gjithë debatin e gjatë nga deputetët, ishte miratuar me 71 vota për, 1 kundër dhe 2 abstenime.