Gjatë ditës së sotme janë larguar edhe disa pjesëtarë nga pakicat serbe të Forcës së Sigurisë së Kosovë.
Kështu merr vesh Klan Kosova nga burime të saj.
Për këtë zhvillim televizioni e ka pyetur edhe kryeministrin Ramush Haradinaj gjatë ligjëtratës së tij në Universitetin Amerikan të Kosovës me temën “Transformimi i FSK-së” me ç’rast ai ka refuzuar të përgjigjet për rastin konkret.
Por, Haradinaj i ka bërë thirrje pjesëtarëve të komunitetit serb në FSK që të mos dorëhiqen nga kjo forcë.
Sipas tij, ata që do të largohen do të jenë humbësit e vetëm dhe se do t’i harrojnë edhe ata që po ju bëjnë presion që të tërhiqen, duke aluduar në Serbinë.
Numri një i Qeverisë ka potencuar se është rritur kërkesa nga pjesëtarët e komunitetit serb që të bëhen pjesë e FSK-së.
“Kam takuar qytetarë serbë dhe familjet e tyre si kadetë të rinj. Ju bëjë thirrje që mos i pranojnë këto presione, sepse të vetmit humbës janë ata që e lëshojnë forcën . Ju them mos i lëshoni detyrat e juaja sepse ka plot bashkëqytetarë tuaj serbë që duan të jenë pjesë e FSK-së”, ka thënë Haradinaj.
“Kemi një listë të gjatë me emra nga komuniteti serb. Është rrit kërkesa për anëtarësim në FSK. Të dhënat e tyre do t’i ruajmë që të mos bëhet presion mbi ta”.
Muaj më parë rreth 50 serbë kishin bërë kërkesë për t’u larguar nga Forca e Sigurisë së Kosovës, njofton Klan Kosova.