Avokatja, Artene Iseni ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Zoran Zaev se do të amnistohen sulmuesit e “27 Prillit” teksa shtriu dorën e pajtimit.
Ajo përmes një statusi në llogarinë Facebook i ka thënë jo amnistisë dhe drejtësisë selektive. Ku ndër të tjera shkruan se e keqja nuk ka filluar më 27 prill, por që aty ka kulmuar dhe se çfarëdo propozimi për falje, pajtim ose amnisti nuk do të ketë kuptim e as sukses pa përfshirje të ngjarjeve tragjike të Lagjes së Trimave më 9 maj 2015, përcjellë Indeksonline.
Por, Naser Bajraliu nga Grupi Kumanova i ka reaguar avokates Iseni. Ai përmes një kundërpërgjigje të gjatë, ka thënë se një nga gabimet më të mëdha të politikanëve shqiptarë ka qenë pikërisht kërkimi i amnistisë, sepse këtë s’do t’ua falte asnjëherë gjaku i dëshmorëve që kanë rënë.
‘Avokate kam qenë pjesë e incidentit në vitin 2001. U arrit marrëveshja e Ohrit, unë personalisht nuk e di çka shkruan në të, veç e di që gjithçka keq ka shku. Gabimin më të madh që e kanë bërë politikanët tanë është që kanë kërku amnisti ‘falje’. Kush na i amniston dëshmorët e kombit të popullit tonë. Për atë luajnë sllavët me neve, tu kërku falje”, shkruan Bajraliu.
Ai tutje thotë se çdo gjë ka ndodhur me marrëveshje dhe ndihmën e ndërkombëtarëve e se gjithçka që zbatohet mbetet në letër.
‘Jam njëri nga të mbijetuarit e tradhtisë. I kemi 10 dëshmorë të kombit të vrarë në tradhti e neve avokate mos na përziej me terrorista që qon me paramendime me vra njerëz të caktuar. Ne nuk kërkojmë mëshirë as falje se nuk jemi fajtor, por vetëm drejtësi. Me kënd kanë fol komandantat tonë se as Mirsadi as Begu s’kanë dit sllavisht me fol mirë. Çdo gjë u krye në ora 21:30, edhe pse po e shkruaj publikisht, se deklaratën time s’kanë kanë shkru qysh e kamë dhënë”.
Bajraliu në fund bën apel që të gjithë shqiptarët të bashkohen në një gjuhë dhe mos t’i besojnë Zaevit, por të bashkohen për ideal dhe interesa të përbashkëta.
Ndryshe Zaevi kishte thënë se nga falja e 9 majit Maqedonia tregon zotësi për të jetuar në fqinjësi të mirë dhe siguri ndërshtetërore me gjitha shtetet kufitare, posaçërisht me Kosovën./Indeksonline/