Kur kanë mbetur edhe pak ditë deri te Asambleja e Përgjithshme të INTERPOL-it, që do të mbahet në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe, në Serbi vjen duke u shtuar frika nga anëtarësimi i Kosovës në këtë mekanizëm të rëndësishëm ndërkombëtar policor.
Gazeta serbe “Novosti” shkruan se çështja e Kosovës ka ndarë anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të INTERPOL-it, të cilët për herë të parë nuk po mund të arrijnë konsensus për një temë, respektivisht nëse kërkesa e Kosovës për anëtarësim të përfshihet në rendin e ditës të Asamblesë së Përgjithshme të kësaj organizate (punimet e Asamblesë së Përgjithshme të INTRPOLIT është planifikuar të fillojnë më 18 nëntor në Dubai), përcjell Telegrafi.
Serbët thonë se procedura e votimit në Asamble është në favor të Kosovës, sepse për anëtarësim në INTERPOL do t’i duhen 2/3 e votave, por që nuk numërohen votat e atyre që abstenojnë. Prandaj, Beogradi në dy javët e ardhshme do të shtojë aktivitetin diplomatik, për të penguar anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.
Shefi i INTERPOLI-it serb Milan Dimitrijeviq, ka thënë se përpjekja e re që në Asamblenë e INTERPOL-it të vendoset për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë do të përbënte një precedent dhe shkelje juridike.
“Kreu i INTERPOL-it është njoftuar me argumentet e Serbisë për vite me radhë. Anëtarësimi i Kosovës do të ishte një shkelje e Rezolutës 1244 dhe do të shkeleshin rregullat e INTERPOL-it, të cilat në mënyrë të qartë përcaktojnë se si dhe në çfarë kushtesh mund të bëhet një vend anëtar i kësaj organizate”, tha ai.
Dimitrijeviq tha e sheh si rrethanë të rrezikshme për qytetarët e serbë, mundësinë që Kosova si një anëtar eventual i INTERPOL-it, do të mund të iniciojë fletarreste për shumë serbë.