Buxheti i vogël i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit është pengesë për realizimin e të gjitha programeve që kjo ministri ka paraparë gjatë këtij viti.
Kështu ka thënë ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, gjatë raportimit të sotëm para Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi.
Si njërën nga sfidat, ministri Gashi ka përmendur edhe bllokimi i llogarive rrjedhëse të institucioneve të kulturës dhe trashëgimisë kulturore, dhe mungesa e nënkodeve për institucionet vartëse.
“Si sfidë dhe si problem e konsideroj buxhetin e vogël të ministrisë, duke e pasur parasysh që kemi pasur një program me synime të mëdha dhe me ambicie të mëdha. Natyrisht që buxheti ka qenë jo i mjaftueshëm për të finalizuar të gjitha këto projekte. Promovimi i Kosovës natyrisht edhe jashtë vendit edhe brenda kërkon një kosto shtesë, tashmë tre filma kosovar janë në nominuar për çmimin Oskar dhe besoj që kjo kërkon një qasje tjetër nda filmit në Kosovë, përkundër që e kemi rritur buxhetin. Njëjtë e kemi edhe me sport, kemi tashmë 4 sportist me normë olimpike të cilët do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike Tokio 2020 dhe për të gjitha këto kërkohen mjete financiare dhe rritje të buxhetit për MKRS-në”, tha Gashi.
Kreu i kulturës, para anëtarëve të komisionit ka paraqitur disa nga ato që i ka quajtur arritje. Ai ka thënë se është rritur buxheti për Qendrën Kinematografike të Kosovës për mbështetjen e projekteve filmike nga 800 mijë euro në vitin 2017 në 1.4 milion për 2018, përmirësimin e infrastrukturës ligjore në fushën e kulturës, aprovimin e rregullores për pagat dhe gradat e krijueseve, performuesve dhe punonjësve të trashëgimisë kulturore, me të cilën janë rritur pagat me 50%.
Në fushën e trashëgimisë, ministri Gashi përmendi themelimin e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore dhe miratimin e Listës së Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje te Përkohshme.
Ai ka thënë se janë në përfundim të Strategjisë për Rininë 2018-2023, si dhe Ligjin për Rininë.
Sa i përket rinisë, ministri Gashi ka bërë të ditur se janë mbi 200 të rinj që janë duke mbajtur praktikë në punë, e që është mbështetur nga ministria që ai drejton.
Pikërisht kjo deklaratë ka nxitur deputetin e LDK-së, Fidan Rekaliun të reagojë, duke akuzuar ministrin se janë përzgjedhur vetëm ata që kanë qenë pjesë e PDK-së.
“Me çfarë kriteri janë punësuar 200 të rinj për punë praktike në kuadër të MKRS-së, cilat kanë qenë kriteret, a ka pasur ndonjë kriter tjetër përpos që me qenë anëtar i PDK-së”, pyeti ai.
Ministri Gashi ka thënë se si ministri nuk kanë qenë fare të involvuar në përzgjedhjen e atyre që kanë përfituar.
“Sa i përket 200 të rinjve se a janë partiak, unë them që kjo procedurë nuk është zhvilluar fare në MKRS. Ne kemi kontraktuar kompani dhe biznese të cilat i kanë zhvilluar të gjitha procedurat edhe marrjes në test edhe në intervista. Asnjë involvim nuk e ka pasur ministria, ne vetëm i kemi ndarë mjetet financiare dhe të ju them të drejtën nuk e di prej 200 kush janë në këtë program. Mund të jetë ndonjë informatë e gabueshme se të gjithë këta të rinj janë nxënës, studentë, nuk kanë lidhje me politikë. Absolutisht asnjë, dhe nëse vetëm një siguroheni se jap përgjegjësi”, tha ai.
Ndërsa, deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, ka pasur një kërkesë për ministrin, sa i përket ligjit për vullnetarizëm.
“Problemet e vazhdueshme të të rinjve të diplomuar janë për shkak të diskriminimit në start gjatë hapjes së konkurseve për t’u punësuar. Pra, kërkohet tre vite përvojë pune, çka në këtë drejtim, çka po bëni ministër dhe ne jemi të gatshëm të japim kontributin tuaj në mënyrë që ta kemi, të paktën të jetë përvojë pune, të ju shkruaj përvojë pune në mënyrë që të mos diskriminohen se kualifikimet i kanë dhe po diskriminohen në start”, tha ajo.
E ministri Gashi, është shprehur se këtë çështje po provojnë që ta rregullojnë me ligjin e ri për rininë.
“Sa i përket vullnetarizmit, ne kemi menduar ta kemi një ligj për vullnetarizëm, por meqë kemi ardhur në përfundim se punët vullnetare nuk i bëjnë vetëm të rinjtë po mund ta bëjnë edhe më të moshuarit, ka kaluar atëherë nga MKRS si kompetencë. Ne kemi menduar që çështjen e vullnetarizmit ta rregullojmë me ligjin e ri për rini, të cilin jemi duke e punuar”, tha ai.
Deputetja nga radhët e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci ka ngritur shqetësimet sa i përket zhvillimeve në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ku ajo ka përmendur disa nga ankesat që drejtori i Teatrit i ka paraqitur.
Ajo tha se ka pasur ndërhyrje edhe në reportuar, ku sipas saj disa shfaqje janë larguar për shkak të qëndrimeve politike, madje ajo e ka konsideruar si censurë politike.
Mirëpo, ministri i Kulturës Kujtim Gashi, ka thënë se drejtori i Teatrit të Kosovës nuk e ka këtë problem.
“Ankesat i ka të paragjykuara, sepse Këshilli është kompetent me ligj të vendos për programin dhe financimin e projekteve dhe jo drejtori. Ndoshta është mësuar në të kaluarën me qenë ashtu, nuk iu ka përzier Këshilli, por kësaj here Këshilli ndërhyn se është Këshill profesional. Aty ka aktorë, ka regjisor, ka doktor shkence, për herë të parë ka doktor shkence në gjuhën shqipe, i cili lexon tekstet. Për herë të parë kemi edhe anëtar të shoqërisë civile. Do të thotë asnjë përfaqësues politik nuk është dhe nëse gjendet vetëm një anëtarë që i përket partisë sime, unë jap dorëheqje”, tha ai.