Në shtator të vitit të kaluar u hap Qendra Korrektuese e re në komunën e Gjilanit.
Edhe pse kjo qendër është duke funksionuar tash e një vit, mungesa e gardianëve ka qenë e dukshme.
Madje sipas burimeve të Indeksonline, si pasojë e kësaj mungese të burgosurit janë detyruar të qëndrojnë të gjithë në një kat të vetëm, duke mos u ndarë në kate të ndryshme të objektit. Tani për tani kjo Qendër e Paraburgimit ka vetëm 65 zyrtarë korrektues.
Por edhe pse herën e parë konkursi për pranim të zyrtarëve të rinj korrektues u mbyll, ky konkurs njoftohet të jetë hapur sërish muajin e kaluar por që tashmë ka përfunduar afati i konkurrimit.
I kontaktuar nga Indeksonline, zyrtari për Informim nga Shërbimi Korrektues i Kosovës,Jeton Kabashi ka bërë të ditur se konkursi është mbyllur me datën 22 të muajit të kaluar.
“Ju informojmë se Konkursi për pranimin e Zyrtarëve Korrektues në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan është hapur me 08.10.2018 dhe është mbyllur me 22.10.2018”, ka thënë Kabashi.
Ndër të tjerash Kabashi ka thënë se procesi është duke vazhduar dhe se pjesë e stafit korrektues do të jenë edhe 60 persona më shumë.
“Procesi i rekrutimi është duke vazhduar. Ne ju informojmë se aktualisht Qendra e Paraburgimit në Gjilan ka 65 Zyrtarë Korrektues dhe me përfundimin e procesit te rekrutimit pritet qe të pranohen edhe 60 Zyrtarë të tjerë Korrektues”, ka shtuar Kabashi.
Në këtë burg të Gjilanit tani për tani vuajnë dënim edhe shumë të burgosur nga komuna të afërta me atë të Gjilanit.