Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës dhe Këshilli protestues do të protestojnë në shenjë revolte dhe pakënaqësie për mos realizimin e kërkesave sipas premtimeve nga institucionet qeveritare.
Në një njoftim për media, Muharrem Beka, kryetar i Sindikatës së Zjarrfikësve, ka thënë se gjatë ditës së nesërme me fillim nga ora 11, në zyrat e BSPK-së do të organizohet një konferencë për shtyp ku do të informohet publiku dhe institucionet lidhur me, siç thotë ai, “vendimet dhe qëndrimet e Sindikatës së Zjarrfikësve që të fillojë aplikimin e masave sindikale, riaktivizimin e protestës”.
“Ky reagim vjen si pasojë e akumulimit të problemeve të krijuara në këtë shërbim emergjent i domosdoshëm dhe mos gatishmërisë së institucioneve për të zgjidhur problemet të cilat në vazhdimësi e përcjellin këtë shërbim emergjent”, ka thënë Beka.
Për të gjitha detajet e protestës, formën, datën, kërkesat dhe qëndrimet e Sindikatës, Beka thotë se do të njoftojnë opinionin në konferencën për shtyp.