Takimi mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndodhi në Bruksel të enjten mbrëma, edhe pse kishte spekulime se mund të mos vinte deri tek ai takim për shkak të acarimit të Serbisë me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të vendosur taksa për mallrat që importohen nga Serbia.
Por edhe pse ndodhi, takimi ishte më i shkurtër sesa që pritej, shkruan sot Koha Ditore.
Si zakonisht, lehtësuesja e dialogut, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, së pari pati takime dypalëshe, fillimisht me presidentin e Kosovës e pastaj me atë të Serbisë, për të vazhduar në një takim jo edhe aq të gjatë me të dy presidentët së bashku.
Por pas takimit të të dy presidentëve, Vuçiqi tha se vazhdimi i dialogut varet nga “pala shqiptare”, e cila “nuk po zbaton asnjë marrëveshje që ka nënshkruar”, duke kritikuar Kosovën për shkelje të Marrëveshjes për CEFTA me vendosjen e taksës prej 10 për qind për mallrat që importohen nga Serbia, si dhe për atë që ai e quajti “kërcënim ndaj serbëve të veriut”, duke menduar në deklaratën e kryeministrit Haradinaj për vendosjen e një togu të ushtrisë së Kosovës edhe në veri.