Asambleja e Përgjithshme e Komitetit të Përhershëm te Mjekëve Evropian ka miratuar anëtarësimin e Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Oda e Mjekëve të Kosovës, si anëtare vëzhguese, me status të barabartë me të gjitha shtetet që nuk janë anëtare të BE-së.
Kjo është bërë e ditur nga vet Oda e Mjekëve të Kosovës, shkruan Indeksonline.
“Përkundër vështirësive, sfidave dhe pengesave në këtë proces, puna, mundi dhe angazhimi i OMK-së ka sjellë rezultat konkret në forcim të përfaqësimit ndërkombëtar dhe marrëdhënieve me organizatat simotra. Shfrytëzojmë rastin që t’i falënderojmë të gjitha delegacionet e shteteve që kanë përkrahur anëtarësimin tonë në këtë organizatë ndërkombëtare.
Po ashtu falënderojmë institucionet shtetërore të Republikës Kosovës, që kanë dhënë përkrahjen për pjesëmarrje në këtë proces”, përfundon kumtesa.